Disa fjalë 1 javë pas tragjedisë…

Përshëndetje miq të Bid. Ka kaluar sot 1 javë nga tragjedia e shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Ajo ditë kur mëngjesi la pas 51 viktima në Shqipëri dhe qindra banesa të shkatërruara. Ne në Bid kemi bërë pushim gjithë këto ditë si nga biznesi jonë ashtu edhe postimet online. Ashtu si të gjithë shqiptarët jemi prekur thellë nga kjo që ka ndodhur dhe biznesi kalon vetvetiu në një plan të dytë. E kemi shfrytëzuar këtë kohë për të reflektuar dhe për t’u qetësuar. 

Ka dy elementë që dua të prek pas kësaj jave kaq të vështirë për shqiptarët:

Elementi i parë që lidhet me këtë fushën që studiojmë ne, pra bizneset, është që: Nuk mund të bësh biznes kur nuk ke qetësi shpirtërore. Nuk mund të bësh biznes në ankth dhe duke qenë të pasigurt se çfarë po ndodh me jetën tënde. 

Unë kam anulluar të gjithë takimet që kisha lënë për konsulencë gjatë kësaj jave, ku kryesisht kërkesa për shtyrjen e takimeve u kërkua nga klientët tanë, sepse nuk ishin të qetë shpirtërisht. As unë nuk isha. 

Prandaj kjo gjë vërteton që sado probleme të kenë njerëzit në biznesin e vetë, ato nuk janë kurrë më të rëndësishme se shëndeti fizik dhe ai mendor. Këto janë të parat. Të gjithë problemet e tjera mund të rregullohen. 

Ndoshta nuk rregullohen këtë javë, këtë muaj apo këtë vit, por sa kohë ke shpresë dhe energji dhe sa kohë të jepet mundësia të mendosh me pozitivitet dhe optimizëm, gjithçka mund të arrihet. Por jo gjatë ditëve si këto që kaluam. 

Ne jemi të sigurt që të gjithë ata që kanë mbijetuar nga kjo tragjedi, do të kthehen më të fortë se kurrë dhe do të kenë të tëra mundësitë e jetës për të riprovuar lumturinë, përveç tmerrit që përjetuan.

Elementi i dytë lidhet me këtë gjënë që ne duam të bëjmë nëpërmjet bizneseve. Krijimi i pasurisë financiare. Shumë mund të thonë që në një situatë të tillë pasuria nuk ka rëndësi, por rëndësi ka vetëm të shpëtosh kokën. Kjo është e vërtët absolutisht, por unë do të thoja që në dy këndvështrime pasuria financiare është shumë e rëndësishme. 

E para është që njeriu që ka mundësi të mira financiare, pra ka shumë para, ka mundësi të investojë dhe të jetojë në një shtëpi goxha të sigurt. Pasuria i jep mundësi për të blerë apo për të ndërtuar një shtëpi me projektuesit dhe inxhinerët më të mirë dhe materialet më rezistente të ndërtimit. Jo vetëm për t’u siguruar nga tërmetet por edhe nga forca të tjera të natyrës si përmbytjet apo zjarret. 

Ndërsa nga ana tjetër, kush janë të varfër nuk pyesin për këto gjëra. Gjithçka që u intereson atyre është të gjejnë një strehë për të futur familjen, e ngaqë nuk kanë opsion tjetër, nuk u shkon mendja për të tilla gjëra si cilësia e ndërtimit. Prandaj ne mundohemi të shtyjmë çdo person në rrugën e suksesit në biznes, që të kenë mundësi të arrijnë pasuri të tillë, sa të sigurojnë më mirë jetën e familjeve të tyre. 

E dyta është të shohim se si pas një tragjedie të tillë është jetike mbledhja e fondeve kryesisht financiare. Ne e pamë se sa shumë kanë kontribuar shqiptarët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe e gjithë diaspora për të kaluar këtë situatë. Janë mbledhur miliona euro nëpërmjet fondit zyrtar të qeverisë, por edhe fondacioneve të ndryshme si “Fundjavë ndryshe” apo “Firdeus”. 

Më pas sipërmarrësit e suksesshëm kanë dhënë gjithashtu pjesë të pasurisë së tyre për të ndihmuar dhe rindërtuar zonat e prekura nga tërmeti. Emra si Samir Mane, Shefqet Kastrati, Bashkim Ulaj, Luan Leka, etj etj, në një listë të gjatë, kanë treguar që pavarësisht se sa sulmohen, ndonjëherë nga qeveria, ndonjëherë nga opozita, e ndonjëherë nga vetë populli shqiptar, ata janë pjesë e Shqipërisë. Janë persona që kanë investuar prej mbi 25 vitesh në Shqipëri, duke paguar miliona euro taksa dhe duke punësuar mijëra njerëz. 

Ata janë sipërmarrës të suksesshëm me të mirat dhe të këqijat e tyre dhe vazhdojnë të kontribuojnë për këtë vend. Domethënë për shumë nga ne, ata duhet të jenë një model i asaj që duam të arrijmë. Nëse dikush ka ndonjë ankesë dhe pretendim për ndonjë aspekt të biznesit të tyre, atëherë hajdeni dhe bëhuni ju edhe më të mirë se ata. Por kuptoni rëndësinë dhe përgjegjësinë e të qenit të pasur dhe shansin që kjo të jep për të ndihmuar një popull të tërë.

Këto ishin disa nga fjalët që donim të ndanim me ju në këtë të martë. Është thënë shpesh se e marta është ditë tersi dhe e marta e kaluar rezultoi që të ishte vërtet një ditë e zezë për Shqipërinë. Por ne do të rindërtohemi dhe do të besojmë se nga e gjithë kjo do të dalim më të fortë seç ishim. 

Bid do të kthehet këtë javë sërisht aktiv me këshillat më të mira për sipërmarrësit e rinj dhe bizneset që kanë probleme nga më të ndryshmet. Gjithashtu do të rifillojmë takimet e konsulencës dhe ju mirëpresim të gjithëve që të lini një takim me ne për të përfituar maksimumin në lidhje me biznesin tuaj.

Zoti qoftë me ju!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s