Microsoft Japan Co, në muajin gusht 2019 bëri një eksperiment të veçantë për të gjithë punonjësit e zyrave të saj në Japoni, plot 2300 punonjës. Ky eksperiment synonte të zbulonte efektet që do të sillte një javë me 4 ditë punë. A do ta rriste kjo gjë performancën e kompanisë, apo jo?

Kështu kompania vendosi që të gjithë të premtet e muajit të konsideroheshin si ditë festash dhe të paguheshin normalisht edhe pse punonjësit nuk shkonin në zyrë. Drejtuesit morën edhe disa masa dhe dhanë këshilla për punonjësit e tyre:
- Punonjësve ju kërkua që të përdornin më shumë komunikimin e shpejt online, në vend të emaileve të gjata dhe mbledhjeve.
- Edhe kur detyroheshin të bënin mbledhje, u vendos një limit 30 minutash dhe maksimumi i pjesëmarrësve të ishte 5 persona. Zakoni është që në Japoni mbledhjet zgjasin të paktën 1 orë.
- Orët jashtë orarit nuk duhet të kalonin ato të një jave normale.
Rezultatet krahasuar me gushtin e vitit të kaluar?
39.9% – Rritje në performancën e shitjeve të kompanisë.
58.7% – Rënie në sasinë e dokumentave të printuar apo fotokopjuar.
23.1% – Ulje e vlerës në faturat e energjisë.
Përfaqësuesit e kompanisë gjithsesi thonë se nuk kanë në plan për ta bërë këtë javë 4 ditëshe zyrtare, por do ta përdorin herë pas here.