KAPE vendin e punës

Procesi i marrjes në punë të një punonjësi të ri, ndryshon shumë sipas pozicionit të punës, madhësisë së kompanisë, kulturës apo industrisë. Por një nga fazat që kalohen pothuajse në çdo rast, është intervista. Momenti kur punëmarrësi takohet ballë për ballë me punëdhënësin. Sepse një CV mund të zbukurohet pafund, referencat mund të jenë të trilluara, ndërsa testimi tregon vetëm logjikë dhe njohuri teorike dhe jo gjëra praktike apo mënyrën e sjelljes. Prandaj intervista ka gjithmonë një rëndësi të veçantë gjatë përzgjedhjes saqë shpesh qëndron edhe si fazë e vetme e procesit të rekrutimit në biznese të vogla.

Sot, dua të ndaj me ju një nga pyetjet më të rëndësishme që drejtohen në një intervistë pune. Ajo është: “Na thuaj pse mendon se je i përshtatshëm për këtë vend pune?”

Kam marrë pjesë në shumë intervista përzgjedhëse, në dhjetra kompani, kryesisht për pozicione menaxheriale dhe përgjigja që të intervistuarit japin është pothuajse standarde. Ata thonë diçka të tillë: “Sepse jam njeri me eksperiencë në këtë fushë, kam aftësi të mira komunikuese, punoj mirë në grup dhe jap gjithmonë maksimumin për të arritur objektivat.” Mund t’ju duket përgjigje e mirë dhe që do të kënaqë kompaninë, por jo. Së pari është një përgjigje që e thonë të gjithë dhe nuk jep mundësi për t’u diferencuar dhe së dyti, është shumë e përgjithshme dhe nuk thotë realisht asgjë. Kompanisë i intereson të dëgjojë gjëra konkrete nga ty. Më poshtë po ndaj me ju sekretin se si të strukturoni përgjigjen ndaj kësaj pyetje.

Teknika K A P E

K – KARAKTERISTIKAT/KUALIFIKIMET

Fillimisht tregoni çfarë dini të bëni, në lidhje me pozicionin që kandidoni, por edhe gjuhët e huaja, përdorimin e programeve kompjuterike, aftësitë komunikuese, etj. Mos harroni asgjë që mund të jetë e rëndësisshme për pozicionin që po aplikoni.

A – AVANTAZHET

Gjëja e dytë është që të tregoni sa më bukur se si karakteristikat që ju keni, janë avantazhe për të kryer sa më mirë punën. Në këtë pikë duhet të jepni situata konkrete nga përvoja juaj e mëparshme se si një karakteristikë apo kualifikim ju ka ndihmuar. Për shembull, nëse flisni gjermanisht, mund të tregoni se si ka ndikuar kjo në të kaluarën kur ju mund të keni mbyllur një marrëveshje me një kompani gjermane.

P – PERFITIMET

Kjo është një pikë që kur kompania ta dëgjojë, do të ketë vëmendjen maksimale. Ju duhet të tregoni çfarë përfitimesh ka patur kompania ku ju keni punuar në të shkuarën, si rrjedhojë e punës tuaj duke përfshirë avantazhet e lartpërmendura. Duhet të tregoni me shifra se si i keni rritur shitjet me X% apo se si kompania ka rritur fitimet në X vlerë. Nëse po aplikoni në punën tuaj të parë, përpiquni që logjikisht të tregoni se si një avantazh do të kthehet në përfitim.

E – EMOCIONI

Gjatë përgjigjes, duhet të tregoni emocion dhe të mos flisni sikur të keni mësuar gjithçka përmendësh. Shpesh ndodh që vërtet kandidatët të flasin si robotë një tekst të paracaktuar dhe kjo është diçka që nuk bind. Ju supozohet ta keni ndjerë situatën që po tregoni dhe duhet të bëheni pjesë e saj kur e transmetoni tek intervistuesit. Kjo shpesh është më e rëndësishme se edhe vetë përmbajtja e asaj që tregoni. 

Mbaje mend këtë teknikë dhe KAPE vendin e punës!

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s