Pi pak ujë dhe lexoje këtë artikull

Një fushatë e re marketingu për një ujë të ambalazhuar të rikonceptuar, ka zgjedhur si slogan: “PI PAK UJË”. Bëhet fjalë për ujin Dukat, hedhur në treg nga Lufra. Ndërkohë që reklama që transmetohet në TV është realizuar me mjaft cilësi dhe pritur mirë nga publiku, e gjithë kjo fushatë e kushtueshme ka edhe elementë që rrezikojnë suksesin e saj. Ndërkohë mund të shihni edhe rezultatet e sondazhit të realizuar në faqen tonë në Instagram rreth kësaj fushate.

Fushata ka një lloj ngjashmërie me një prej fushatave më të famshme të të gjithë kohërave: “got milk?”, gjë që do ta shohim në vijim. Fillimisht hidhini një sy reklamës në videon më poshtë dhe më pas lexoni pikat pro dhe kundër më poshtë rreth kësaj fushate.

Spoti u ujit Dukat

Pro

1. Tërheq vëmendje

Mesazhi është i thjeshtë, i shkurtër dhe i qartë, ashtu si edhe “got milk”. Spoti TV përmban nota humori dhe mënyra e të thënit të shprehjes “Pi pak ujë” e bën lehtësisht të memorizueshme.

2. Fushatë e gjerë

Gjithashtu përveç spotit TV, kompania ka përdorur edhe citylights, billboards, prani nëpër emisione televizive, online, etj. Sigurisht e gjithë kjo fushatë ka një kosto shumë të lartë, por e sigurt që tërheq vëmendje dhe emri Dukat është bërë i njohur.

3. Tregon se kujt i përket

Gjatë gjithë fushatës, ashtu si edhe në etiketë të produktit, është treguar kujdes që të dihet nga konsumatorët që ky ujë është tashmë pjesë e një kompanie më të madhe dhe të konsoliduar në treg, Lufra. Kjo i shton besueshmëri ujit dhe e ndihmon në shpërndarje. Lufra ka gati një listë shumë të madhe klientësh (markete), të cilët janë të predispozuar të pranojnë edhe një produkt shtesë nga kompania. Kujtojmë që edhe kompania EHW ka ndjekur mjaft suksesshëm këtë strategji me ujin “Qafshtama”.

Kundër

  • Rreziku për t’u keqkuptuar

Kur pyeta ndjekësit tanë në Facebook dhe Instagram, vura re se kishte persona që duke parë thjesht një imazh të fushatës me një shishe dhe sloganin “Pi pak ujë”, e keqkuptonin tërësisht dhe fjalën “pak” e lidhnin me sasinë. Pra sikur kompania thotë mos pini shumë, por pini pak ujë. Në fakt “Pi pak ujë” është mënyrë të thëni në shqip dhe nga spoti TV kuptohet qartë. Gjithsesi keqkuptimet janë reale.

  • Mungesë diferencimi

“Got milk” nuk ishte një fushatë e bërë nga një markë qumështi, por nga një Shoqatë qumështi me qëllim rritjen e konsumit të përgjithshëm në SHBA. Ndërsa Dukat ka një markë specifike dhe nuk mund të dalë me këtë mesazh të përgjithshëm.

Fraza që mbetet në mendje të njerëzve gjatë dhe pas gjithë kësaj fushate është vetëm “Pi pak ujë”. Nuk mund të kuptohet asnjë arsye pse duhet të konsumojnë Dukat. Konsumatorët shohin reklamën, kënaqen me humorin aty dhe zgjedhin të pijnë “Lajthiza” apo “Qafshtama” sepse këto kompani e kanë krijuar imazhin në mendjen e konsumatorëve si ujëra të lehtë dhe me minerale të shëndetshme. Uji B/, gjithashtu i ri në treg, është diferencuar qartë me shishen trendy dhe mënyrën e promovimit tek të rinjtë, madje edhe me një format të veçantë 0.4L. Po Dukati me çfarë diferencohet?

  • Mesazh jo i fuqishëm

Mendoj se ka edhe një qasje të gabuar të mesazhit në përgjithësi. Njerëzit nuk kanë realisht nevojë t’i kujtojë një reklamë që të pijnë ujë. Ne kemi mijëra vjet që e bëjmë këtë gjë pa na thënë askush dhe është gjëja më e natyrshme në botë. Edhe “got milk?” kishte një mesazh që synonte të kujtonte njerëzit që të mos mbeteshin pa qumësht në frigorifer, por në fakt konsumi i ulët i qumështit nuk kishte lidhje me këtë. Familjet mund ta kishin qumështin në frigorifer, por thjesht nuk e preferonin ta konsumonin në sasitë që “got milk?” dëshironte. Imagjinoni edhe një markë veshjesh sportive, themi Nike, që të dalë me një slogan: Vish ndonjë gjë! Sa banale duket!

Këshilla për Dukat

“Got milk?” edhe pse një prej fushtave më të famshme për shumë arsye, në fund të fundit, dështoi të realizonte misionin e saj, për të rritur konsumin e qumështit në SHBA. Nuk duhet të ngatërrojmë popullaritetin e një fushate marketingu, me efektivitetin e saj. Shoqatës së Qumështit ju deshën 20 vite për ta anulluar këtë fushatë dhe për të nisur një tjetër. Dhe në fakt, kjo tjetra rezultoi më e suksesshme. Ajo thoshte: Niseni ditën me fuqinë e proteinave të qumështit!” Në këtë rast njerëzit kishin një arsye më të prekshme pse të konsumonin qumësht dhe jo thjesht ta kishin në frigorifer!

Pra këshilla për Lufrën dhe Dukatin është: Ndërpriteni këtë lloj fushate së shpejti, pasi mjaft para keni shpenzuar tashmë. Ajo ka realizuar qëllimin e parë të çdo fushate marketingu, që është tërheqja e vëmendjes, por tani kompanisë i duhet një mesazh komplet i ri dhe me synim diferencimin e ujit në treg. T’i japë konsumatorëve arsye të prekshme pse duhet të zgjedhin të pinë Dukat në vend të dhjetë ujërave të tjerë. Vetëm kështu vëmendja mund të shndërrohet në shitje të mira për kompaninë.

Reklama

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s