347915-Investstockmarcket-1331337090-204-640x480

Ku duhet investuar për momentin në Shqipëri?

Në këtë artikull, do të jepet një vlerësim i përgjithshëm mbi format më të mira të investimit në Shqipëri, kryesisht nëpërmjet ngritjes së kompanive. Dua të sqaroj paraprakisht që Bota e Menaxhimit është e idesë që nëse drejtuesit dhe menaxherët janë të aftë, atëherë jo vetëm në Shqipëri por në çdo shtet të botës mund të ngresh një kompani të fuqishme në pothuajse çdo sektor që dikush vendos të investojë, duke bërë paraprakisht një studim të kushteve të tregut. Thënë kjo, më poshtë kemi listuar disa nga mundësitë më premtuese për të kthyer investimin në tregun shqiptar.

1. Industri ushqimore

Shqipëria është një vend që ka ende një sasi të ulët të përpunimit të ushqimeve brenda vendit dhe një pjesë e madhe importohet nga jashtë. Tregu ka kërkesë të lartë për produkte të tilla dhe e bukura është që në këtë sektor kërkesa nuk pritet të bjerë asnjëherë. Prandaj në varësi të kapitalit të mundshëm për t’u investuar dhe studimit të produkteve të ndryshme ushqimore, mund të gjenden një shumëllojshmëri variantesh investimi. Marketingu i duhur dhe cilësia konkurruese me produktet qe importohen, janë domosdoshmëri për të patur sukses. Duam të jemi Zvicra e Ballkanit? Le të fillojmë të prodhojmë çokollata të shijshme!

2. Fabrika të orientuara nga eksporti

Është e ditur tashmë që vendet që kanë paga të ulëta janë nën shënjestër të kompanive më të mëdha në botë, si pasojë e nevojës së tyre për të ulur kostot e prodhimit. Por shpesh nuk është e mundur që ata të zhvendosen tërësisht në një vend të huaj, prandaj vihen në kërkim të mundësive për outsource të produkteve të caktuara. Kompanitë europiane nuk kanë pse prodhojnë në Kinë, kur Shqipëria ka rroga të krahasueshme me Kinën, por kosto shumë më të ulët të transportit. Me fabrika të tilla, e ke të parapërcaktuar klientin që në fillim dhe puna më e madhë është të gjesh mundësitë e bashkëpunimit. Në këtë pikë, risku nuk është i lartë, pasi investimin e fillon pasi të vendosesh marrëveshjen. Nuk është e çuditshme që së shpejti të shohim në Shqipëri fabrika që prodhojnë me porosi të markave më të njohura europiane si Fiat, Louis Vuitton apo Nike. Nuk është keq të prodhosh për një kompani të tillë!

3. Turizëm

Investimet në turizëm janë shumë të përhapura në Shqipëri dhe ende ditët e sotme janë në ndërtim hotele dhe resorte të ndryshme me vlera disa miliona euroshe. Vazhdojnë të ndërtohen shtëpi në zonat bregdetare dhe të hapen edhe kampingje gjithandej. Kjo do të thotë që të gjithë shtresat e turistëve janë duke u mbuluar. Ju mund të investoni në çfarëdo mënyre në turizëm dhe të keni sukses nëse e bëni investimin si duhet dhe me menaxherët e duhur. Pse? Sepse një hotel në një zonë me turizëm të sigurtë, e ka mjaft të thjeshtë të krijojë një emër të mirë marke dhe të zhvillojë klientelën e tij. Njerëzit flasin gjithë verën për pushimet e tyre dhe nëse do të ngelin të kënaqur nga shërbimi dhe kushtet e hotelit tuaj, do të sigurohen që t’ia thonë të gjithëve. Përveç hoteleve, gjithçka tjetër që ka të bëjë me turizmin, si për shembull mënyrat e ndryshme të argëtimit, ide transporti të ndryshme apo restorante tradicionale, janë ide të mira.

4. Lokale dhe Clube

E di që shumë prej jush tani mund të jeni duke menduar që Shqipëria është mbushur me bare, por nuk mundëm ta lëmë jashtë liste një investim të tillë. Ndoshta është një biznes që nuk jep shumë vlerë reale për shoqërinë, por shumë biznesmenë kanë gjetur miniera ari nëpërmjet lokaleve apo clubeve. Ndryshe nga pikat e tjera të kësaj liste, për të drejtuar një aktivitet të tillë suksesshëm sugjerojmë që menaxherët të kenë eksperiencë sa më të gjatë pune në biznese të ngjashme. Nuk është e vështirë të menaxhosh një kafe lagjeje me 5 tavolina, por kur vjen puna për të organizuar dhe mbushur clube me nga 2000 veta, atëherë është e nevojshme që menaxheri të ketë kontaktet dhe eksperiencën e duhur.

5. Bota Online

Shtimi i përdorimit të kartave të debitit/kreditit dhe rritja e fëmijëve të epokës së internetit, kanë sjellë që blerjet online të jenë në prag të shpëthimit në Shqipëri. Ky proces tashmë ka nisur dhe është në fazat e para të tij. Një biznes i tillë duhet hapur pikërisht në këtë moment, përpara se ky treg të maturohet. Mundësitë janë të pafundme në botën online, pasi nuk do të konsiderohet biznes vetem krijimi i një platforme të tillë, por edhe çdo shitës që përdor internetin për të prezantuar produktin e tyre tek konsumatorët. Çdo individ e ka shumë të thjeshtë të krijojë një dyqan online, brenda një platforme të krijuar tashmë. Një investim i tillë nuk kërkon shumë kapital, por vetëm ide të mira.

6. Biznese të vogla profesionale

Ky është biznesi që duhet të investojë çdo individ që ka një talent dhe pasion për të ofruar një shërbim për konsumatorët. Nuk ka rëndësi çfarë është, pasi në bizneset e vogla profesionale, cilësia është kryesorja. Kjo do të thotë që ju mbani të gjithë përgjegjësinë e suksesit të biznesit.

7. Përveç kompanive…

E nëse nuk jeni gati për të hapur një kompani dhe asgjë nuk ju duket e përshtatshme, atëherë në Shqipëri ka edhe një tjetër mundësi të shkëlqyer investimi. Toka. Shqipëria ka ende tokë të lirë në të gjithë vendin, me çmime të lira. Toka është kapitali më i rëndësisshëm dhe që në një vend të vogël, vlera e saj nuk pritet të bjerë asnjëherë. Përkundrazi. Zona është e rëndësisshme, por jo thelbësore. Mund të jetë kudo ajo tokë dhe përsëri të të shpërblejë në të ardhmen për shkak të rritjes së vlerës, ose përdorimit të saj për të ndërtuar apo prodhuar.

Këto janë disa nga trendet më premtuese të investimit në Shqipëri, por të jemi të sinqertë: Të gjesh një ide të suksesshme biznesi është shumë më e thjeshtë për t’u thënë sesa për t’u bërë. Por edhe kur ideja gjendet, mbetet puna tek menaxhimi i kujdesshëm, marketingu i saktë dhe përkushtimi për të mos u dorëzuar deri në përmbushjen e misionit të kompanisë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s