robinson_crusoe1

Kuptimi i sipërmarrjes dhe Robinson Kruzo

Koncepti i sipërmarrjes nuk është i thjeshtë për t’u kuptuar si duhet. Shpesh barazohet me termin “biznes” dhe përdoret pakujdes edhe nga ekonomistët, menaxherët apo politikanët. Për ta kuptuar si duhet sipërmarrjen, duhet të kuptojmë që ky koncept nuk lidhet domosdoshmërisht me tregun. Prandaj për ta kuptuar mund të na ndihmojë një shembull që në fakt vjen nga jashtë tregut, si një ngjarje hipotetike.

Imagjinoni Robinson Kruzonë në ishullin e tij. Duke eksploruar nëpër vende të panjohura një mëngjes, ai aksidentalisht bie në një gropë të thellë. Megjithëse fatmirësisht nuk është dëmtuar fizikisht, ai nuk mundet të dalë më nga gropa. Sa herë që përpiqet të dalë, rrëshket përsëri në fund të saj. Kruzo qëndron një copë  herë duke u menduar dhe papritur i vjen një ide e shkëlqyer.  Ai kishte parë në një cep të gropës një numër të konsiderueshëm degësh. Kruzo i ekzaminoi ato degë pemësh dhe kuptoi që duke i kombinuar ato në një mënyrë të caktuar, mund t’i përdorte për të dalë nga gropa. Vënia në jetë e planit të tij kërkoi shumë punë dhe ndoshta edhe ky plan do të dështonte dhe Kruzo të vritej duke rënë përsëri në gropë, por le të supozojmë që ai arrin të ndërtojë shkallën e tij dhe të shpëtojë.

Robinson Kruzo arriti të shpëtonte duke “prodhuar” këtë shkallë. Për të arritur këtë ai ka shfrytëzuar burimet që kishte në gjendje (degët që ishin në gropë dhe kohën e energjinë e tij). Kur ta mendojë këtë situatë pas disa vitesh, ai mund të mendojë që ishin pikërisht burimet që kishte aty, që e bënë të largohet nga ajo gropë. Mund të mendohet se asgjë tjetër përveç degëve, kohës dhe energjisë fizike, nuk do të duhej për të shpëtuar.

Por nëse reflektojmë më shumë, shpëtimi i tij dhe ndërtimi i asaj shkalle që e ndihmoi, kanë ardhur jo nga burimet e lartpërmendura por nga një “ide e shkëlqyer” që ai pati në ato momente. Pa atë ide, degët e pemëve dhe energjia e koha e Kruzosë do të mbetnin aty, të pashfrytëzuara. Madje, as nuk do të quheshin burime. Ishte ajo “ide e shkëlqyer” që i dha kuptim të gjithë planit dhe që përfaqëson një element sipërmarrës në këtë histori.

Nga kjo histori mund të mësojmë se si sipërmarrja është procesi i vetëm që i jep kuptim burimeve që na rrethojnë, madje i përcakton ato. Për ta kaluar në kontekstin e tregut, duhet të themi që sipërmarrja përballet gjithmonë me një risk.

Në shqip, fjala “sipërmarrje” e shpjegon mjaft mirë çështjen e risqeve. “Sipërmarr” do të thotë “marr përsipër”. Çfarë? Marr përsipër përgjegjësinë e humbjes, marr përsipër aventurën, marr përsipër shpenzimin e kohës dhe energjive, marr përsipër koston oportune. Kruzo në historinë e tij, arriti të zbulonte një mundësi të mirë “investimi” për të fituar. Meqënëse dalja nga gropa vlente më tepër sesa burimet që ai shfrytëzoi, atëherë mund të themi që ai doli me fitim nga “sipërmarrja” e tij. Por nga ana tjetër, nëse degët nuk do ta mbanin siç duhej, atëherë ai mund të binte dhe të vritej. Ky ishte risku që ai mori përsipër. Kjo ngjarje në treg quhet “humbje”.

Ajo çfarë e shtyu Kruzonë ta merrte përsipër realizimin e atij plani dhe të kishte atë ide të shkëlqyer, ishte dëshira e jashtëzakonshme për të dalë nga gropa dhe për të qenë i sigurt. Dhe kështu vijnë idetë e shkëlqyera; duke patur një pasion të pashtershëm, duke patur ëndrra që pret të të realizohen dhe duke patur besim të pa lëkundshëm.  Këto ndjenja nuk e prodhojnë idenë e shkëlqyer, por shërbejnë për të frymëzuar një të tillë. Është i famshëm fakti që shpikësi i llambës, Tomas Edison kishte frikë nga errësira. Por nuk ishte frika që e frymëzoi atë, por dëshira për dritë. Gjërat pozitive frymëzojnë, ato negative jo.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s