solar-costs

Disa ide dhe përpjekje për të ulur kostot

Kostot e larta dhe shpenzimet që duket sikur nuk kanë fund janë padyshim dhimbje koke e vazhdueshme për shumë biznesmenë dhe menaxherë. Përveç shitjeve, si kostot fikse ashtu edhe ato të ndryshueshme (variabël) mund të përcaktojnë në fund të vitit nëse kompania del me fitim apo me humbje. Prandaj, herë pas here duhet bërë një verifikim dhe analizim i të gjitha kostove për të gjetur mundësi reduktimi të tyre. Sigurisht, jemi duke folur për kostot që ulen pa ndikuar në cilësinë e produktit përfundimtar, marketingut efektiv apo që nuk ndikojnë në shërbimin ndaj klientit.

Më poshtë po listoj 5 fusha ku mund të gjeni hapësira për reduktim kostosh.

Komunikimi

Bizneset shqiptare shpenzojnw në përgjithësi shumë për telefonat dhe celularët. E sigurisht pjesën më të madhe të këtyre shpenzimeve e zënë faturat e pronarëve (shefave). Në këtë pikë mund të kursehen para. Kompanitë celulare kanë interes të bashkëpunojnë me bizneset dhe zakonisht janë të gatshme të mundësojnë edhe plane tarifore të personalizuara. Gjithashtu, faturat e larta shpesh vijnë për shkak të mungesës së informacionit ose neglizhencës për të kryer paketa dhe oferta të ndryshme që kompanitë celulare ofrojnë. Mos nguroni të ndërroni edhe kompani, apo të shmangni numrat me kontratë për punonjës të caktuar. E njëjta logjikë vlen edhe për shërbime të tjera si interneti apo telefonat fiks. Bëni kërkimet e mjaftueshme rreth kësaj çështjeje dhe mund të habiteni kur të arrini kosto mujore deri në 50% më të ulëta.

Marketingu

Marketingu është një proces në të cilin suksesi i fushatave kërkon kohë të provohet, kështu që duhet patur kujdes me kostot që synohet të reduktohen këtu. Është mirë të jeni të kujdesshëm përpara se të merrni vendimin që një fushatë marketingu duhet të ndërpritet apo të mos zhvillohet fare. Studioni raportet e shitjeve duke i krahasuar me shpenzimet që janë bërë për marketingun dhe nëse kompania juaj kryen studime në terren, analizojini edhe ato nën këndvështrimin e marketingut. Në fund, nëse shihni se një mënyrë e caktuar marketingu nuk ka sukses, merrni vendimin për ta ndërprerë atë proces dhe për të reduktuar kostot të cilat nuk sjellin përfitim.

Negocimi me furnitorët

Në momentin kur kompania juaj ka krijuar vendin e saj në treg, atëherë është momenti që të filloni të lëvizni gurët që keni në dorë. Përmes negocimit me furnitorët dhe përfitimit të çmimeve më të ulëta, ju keni mundësinë të arrini reduktim të kostove e të keni një ekonomi shkalle nëse industria ku ju operoni jua mundëson këtë gjë. Kërkoni për skonto nëse pagesat i kryeni menjëherë me cash apo nëse blini në sasi të mëdha. Gjatë procesit të negocimit mbani në mendje pozicionin tuaj dhe të furnitorit në treg. Nëse jeni ju apo ai në pozicion më të mirë. Fuqia në marrëdhënien me furnitorët është edhe një nga 5 forcat e Porterit.

Punonjësit

Sigurohuni që secili punonjës të ketë një rol të rëndësishëm për kompaninë. Është gjithmonë e vështirë të pushosh njerëz nga puna, por megjithatë është më mirë që të largoni punonjësit sot nëse e shihni të arsyeshme. Kështu kompania ka më tepër mundësi të mbijetojë e të zgjerohet në të ardhmen dhe rrjedhimisht të rekrutojë më tepër punonjës. Çdo punonjës duhet të dijë me ekzaktësi se çfarë do të bëjë në çdo ditë pune dhe në çdo moment që ju apo menaxherët ta pyesin ai të dijë të japë përgjigje. Kujdesuni që largimet nga puna t’i bëni sipas ligjeve në fuqi, për të mos rrezikuar kosto më të larta nëse çështjet shkojnë nëpër gjyqe.

Kosto transporti/udhëtimesh

Nëse biznesi juaj ka shumë makina që lëvizin çdo ditë, si për shembull një firmë shpërndarjeje, atëherë nevojiten studime të thelluara mbi mënyrën e qarkullimit ditor (routes) dhe duhen mbajtur raportime të vazhdueshme për shpenzimet e karburantit.

Nëse jeni një kompani që importon produkte, atëherë kostot e transportit duhet të kenë një peshë jo të vogël në koston për njësi të çdo produkti. Sigurohuni që të zgjidhni kompaninë e duhur për të bërë transportin ndërkombëtar (apo/edhe kombëtar) dhe mbushja e kontenierëve të jetë bërë në mënyrën më efiçente (pa rrezikuar dëmtimin e produkteve).

Përveç transportit të mallrave, edhe udhëtimet e biznesit kanë kosto shumë të larta. Nëse keni një planifikim të saktë të udhëtimeve tuaja, bleni biletat kohë përpara nisjes pasi çmimet e avionëve mund të dyfishohen brenda muajit. Por zakonisht ndodh që këto udhëtime të jenë të paparashikuara dhe të keni pak në dorë se çfarë të kurseni. Gjithësesi, kini parasysh që nuk është e thënë të merrni një biletë të klasit të biznesit për udhëtimin tuaj. Zakonisht, nuk ka asnjë ndryshim me pjesën tjetër të avionit, përveç disa centimetrave hapësirë më shumë apo buzëqeshje më të madhe nga stjuardesat.

Secila kosto duhet parë si një investim më vete, duke u siguruar që çdo para e dalë nga arka e kompanisë do të kthehet përsëri në arkë, plus të sigurojë një marzh fitimi. Prandaj për çdo kosto që shihni në pasqyrat financiare, mendoni se në ç’mënyrë ka kontribuar në produktin final dhe në mbarëvajtjen e biznesit. Kërkohet planifikim i kujdesshëm dhe ndarje detyrash e përgjegjësish të qarta për ata që do të merren me këtë punë, pasi reduktimi i kostove është një proces që nuk realizohet asnjëherë nëse zvarritet.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s