Si të hapësh një biznes në Shqipëri?

Në këtë artikull do të sqarojmë shkurtimisht disa çështjet administrative që duhet të ndiqen nga të gjithë ata që duan të hapin një biznes në Shqipëri. Ky proces është thjeshtësuar së tepërmi së fundmi dhe koha për të realizuar regjistrimin e një subjekti të ri është shkurtuar ndjeshëm. Regjistrimi i biznesit bëhet pranë degëve të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR). Gjithashtu, burokracitë janë shmangur duke shkuar vetëm në QKR dhe kjo e fundit bën regjistrimin në të gjithë institucionet e tjera të nevojshme të sigurimeve apo tatimeve. Subjektet e mëposhtme kanë të gjithë të nevojshme të regjistrohen përpara se të kryejnë aktivitetet e tyre:

  • Personat fizikë që ushtrojnë aktivitet ekonomik, tregtar.
  • Shoqëritë e thjeshta, sipas dispozitave të Kodit Civil.
  • Shoqëritë tregtare.
  • Degët dhe Zyrat e Përfaqësimit të Shoqërive të huaja.
  • Shoqëritë dhe Unionet e Kursim- Kreditit.
  • Shoqëritë e Bashkëpunimit Reciprok.

SI TË REGJISTROSH NJË BIZNES NË QENDRËN KOMBËTARE TË REGJISTRIMIT (QKR)

Aplikimi për regjistrimin fillestar mund të bëhet në sportelet e QKR-së në Tiranë ose në sportelet e shërbimit, të vendosura në bashki. Lista e bashkive dhe e vendndodhjeve të tyre është e publikuar në këtë faqe zyrtare të internetit të QKR-së. Këtë listë mund ta shikoni duke klikuar këtu. Një aplikim mund të bëhet në një sportel shërbimi të QKR-së, pavarësisht nga selia apo vendi i ushtrimit të veprimtarisë së subjektit që kërkon regjistrimin.

 Çfarë duhet për regjistrimin fillestar?

I. Formulari i aplikimit

Për të filluar një regjistrim, një aplikanti i duhet të plotësojë formularin e aplikimit. Përpara se të plotësohet formulari i aplikimit, aplikanti duhet të dijë informacionin e mëposhtëm:

1. Formulari i aplikimit është specifik për lloje të ndryshme entitetesh që aplikojnë (persona fizikë që bëjnë biznes apo kompani). Prandaj, aplikanti duhet të sigurohet që ai/ajo e di, nëse aplikimi do të jetë për një person fizik, i cili do regjistrohet për të kryer biznes apo për një kompani si dhe llojin e kompanisë. Informacion mbi kërkesat ligjore të shoqërive me përgjegjësi të kufizuara, shoqërive anonime dhe shoqërive të tjera, gjendet në ligjin “Mbi shoqëritë tregtare” nr. 7638, datë 19.11.1992. Ky ligj mund të shkarkohet nga faqja zyrtare e internetit të QKR-së në këtë adresë.

2. Formularët e aplikimit mund të merren në dy mënyra: a) pranë çdo sporteli të QKR-së; ose b) mund të shkarkohen nga kjo faqe zyrtare e internetit të QKR-së. Ju mund të arrini tek direktoria e formularëve duke klikuar këtu.

3. Të gjithë formularët e aplikimit janë të pajisur me instruksione për plotësimin e tyre. Këto instruksione mund të gjenden në çdo sportel të QKR-së ose mund të shkarkohen nga kjo faqe zyrtare e internetit të QKR-së. Ju mund të arrini tek direktoria e instruksioneve duke klikuar këtu.

4. Aplikuesi mund të plotësojë formularin e aplikimit ose a) duke e shkarkuar, plotësuar atë elektronikisht dhe duke e stampuar (printuar); ose b) në çdo sportel shërbimi të QKR-së me ndihmën e nëpunësit të sportelit; ose c) nëpërmjet internetit duke përdorur funksionin e QKR-së Aplikoni On-Line“.

5. Çdo nëpunës sporteli është i gatshëm të ndihmojë aplikantin të plotësojë të gjitha rubrikat e detyrueshme të formularit të aplikimit.

II. Dorëzimi i aplikimit për regjistrim në QKR

1. Pasi formulari i aplikimit plotësohet, aplikanti (ose përfaqësuesi i autorizuar për regjistrim) paraqet formularin e aplikimit personalisht, në çdo sportel shërbimi të QKR-së, së bashku me dokumente të tjera shoqëruese, të duhura.

2. Aplikanti ose personi i autorizuar, identifikohet tek sporteli i QKR-së nëpërmjet një dokumenti origjinal identifikimi, si dhe (për përfaqësuesin e autorizuar) nëpërmjet një autorizimi të noterizuar, për përfaqësimin e aplikantit për qëllim regjistrimi.

3. Nëpunësi i sportelit verifikon që aplikimi dhe dokumentet shoqëruese janë të plota dhe të pranueshme nga QKR. Nëse aplikimi është i paplotë ose i pasaktë, nëpunësi i sportelit do të ndihmojë në plotësimin e formularit së bashku me aplikantin dhe do të stampojë (printojë) formularin e plotësuar.

4. Kur pranon një formular aplikimi të plotësuar, nëpunësi i sportelit vepron si më poshtë:

a. Merr pagesën për aplikim nga aplikanti (përfaqësuesi).
b. Kërkon që aplikanti ose përfaqësuesi të firmosë formularin e aplikimit në çdo faqe, në praninë e nëpunësit. Nëpunësi i sportelit, pasi plotëson rubrikën e formularit të rezervuar për përdorim zyrtar, gjithashtu e nënshkruan formularin në çdo faqe.
c. Mban formularin e nënshkruar.
d. Bën një kopje të dokumentit të identifikimit të aplikantit ose përfaqësuesit, duke ia kthyer dokumentin origjinal të identifikimit menjëherë aplikantit ose përfaqësuesit.
e. Merr dhe mban të gjitha dokumentet shoqëruese, të cilave më vonë u merret imazhi elektronik (skanohen) nga nëpunësit e sportelit. Më pas, këto dokumente i kthehen aplikantit (përfaqësuesit).

Pasi janë kryer të gjithë hapat e sipërpërmendur në pikën II 4, nëpunësi i sportelit të QKR-së i jep aplikantit një konfirmim për aplikimin e bërë, i cili lëshohet nga sistemi elektronik i QKR-së dhe ka një numër unik dosje. Ky konfirmim nënshkruhet nga të dy, aplikanti dhe nëpunësi i sportelit. Aplikanti mund të përdorë këtë numrër unik dosje, për të ndjekur statusin e procesit të regjistrimit në çdo kohë nëpërmjet kësaj faqeje zyrtare të internetit të QKR-së, duke klikuar te Kontrollo Statusin e Aplikimit Tim.

III. Lista e dokumenteve shoqëruese

Përveç formularit të aplikimit të plotësuar, aplikuesi duhet të paraqesë dhe dokumentacionin shoqërues përkatës si më poshtë:

1. Dokument origjinal identifikimi (çertifikatë me fotografi, pasaportë, letërnjoftim) të cilin nëpunësi i sportelit do ta verifikojë, kopjojë dhe skanojë, dhe në përfundim do t’ia kthejë aplikantit (përfaqësuesit). Aplikanti nuk duhet tw largohet nga sporteli i shwrbimit pa marrw me vehte dokumentin e tij tw identifikimit.

2. Dokumente të tjera shoqëruese. Lista e dokumenteve të kërkuara për regjistrimin fillestar është specifike për forma të ndryshme ligjore biznesesh. Pasi është identifikuar lloji i biznesit që do të regjistrohet, aplikanti mund të gjejë listën e dokumenteve shoqëruese, të bashkëngjitur në formën specifike të aplikimit për regjistrim, e cila mund të merret ose në sportelet e QKR-së ose në faqen zyrtare të internetit të QKR-së, tek direktoria: Si të Regjistrosh një Biznes: Instruksione dhe Formularë.

IV. Pagesa

Personi që aplikon e kryen pagesën tek sporteli i shërbimit ku ai aplikon. Tarifat janë të publikuara në faqen zyrtare të internetit të QKR-së. Kliko këtu për listën e tarifave.

Pagesa kryhet në sportelin e QKR-së, në momentin që kjo kërkohet nga nëpunësi i sportelit dhe pasi është caktuar një numër unik nga sistemi elektronik për dosjen. Pagesa bëhet përpara firmosjes përfundimtare të formularit të aplikimit nga nëpunësi dhe aplikuesi.

Çfarë ndodh mbasi aplikanti largohet nga sporteli?

Në fund të ditës pasardhëse nga dita e aplikimit në QKR, aplikimi për regjistrim ose do të jetë pranuar, ose do të jetë refuzuar ose pezulluar, nëse QKR gjen se informacioni i dhënë është i paplotë ose jo në përputhje me kërkesat ligjore.

a) Në rast pranimi të regjistrimit.

Pas lëshimit të konfirmimit për aplikim, aplikimi dhe dokumentet shoqëruese shqyrtohen për vendimmarrje nga nëpunësi i autorizuar i QKR-së  (regjistruesi). Nëse pas verifikimeve, nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) konstaton se aplikimi është në përputhje me kërkesat e ligjit, brenda afatit maksimal prej 1 (një) dite nga paraqitja e aplikimit ai miraton:

1) Kryerjen e regjistrimit;
2) Lëshimin e Numrit Unik të Identifikimit (NUIS), gjithashtu i njohur si NIPT;
3) Vërtetimin e kryerjes së regjistrimit dhe lëshimin e çertifikatave të regjistrimit (në rast kur biznesi regjistrohet). Këto çertifikata (një për çdo vend ku biznesi kryen aktivitet) mund të merren nga aplikanti (ose person i autorizuar) në çdo sportel shërbimi të QKR-së;
4) Kryerjen e publikimit elektronik të regjistrimit në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare të Regjistrimit të QKR-së, e cila mund të shihet në faqen zyrtare të internetit të QKR-së (kliko këtu për të parë direktorinë) ditën pas miratimit të regjistrimit.

Plotësimi i regjistrimit dhe lëshimi i çertifikatës së regjistrimit, janë evidenca e aplikantit për regjistrimin e biznesit, për regjistrimin fiskal të biznesit (tatim taksa), për regjistrimin në sigurimet shoqërore, për regjistrimin në sigurimet shëndetësore si dhe regjistrimin me autoritetet e Inspektoriatit të Punës.

b) Në rast pezullimi të regjistrimit.

1) Nëse pas verifikimeve të formularit të aplikimit dhe të dokumenteve shoqëruese, nëpunësi i autorizuar i QKR-së (regjistrar) konstaton se aplikimi nuk është në përputhje me kërkesat e ligjit, ai pezullon regjistrimin brenda afatit maksimal prej 1 (një) dite nga paraqitja e aplikimit.

2) QKR e njofton aplikantin për arsyet e pezullimit brenda një dite nga marrja e aplikimit për regjistrim, nëpërmjet një dokumenti të lëshuar nga sistemi i informatizuar në çdo sportel shërbimi të QKR-së. Aplikanti ka një afat 15 -ditor për plotësimin ose ndreqjen e elementeve që pengojnë regjistrimin.

Aplikanti mund të kontrollojë statusin e aplikimit online duke përdorur numrin unik të dosjes që ai ka marrë, pasi ka dorëzuar formularin e aplikimit. Arsyet e pezullimit nuk publikohen në faqen e internetit të QKR-së, por mund të komunikohen elektronikisht me email për aplikantët, të cilët kanë përdorur funksionin “Apliko On-Line” ose të cilët, kanë dhënë një adresë emaili në formën e aplikimit. Përndryshe, aplikanti duhet të paraqitet në sportel për marrjen e dokumentit të sipërpërmendur, i cili jep arsyet për pezullimin e regjistrimit.

3) Aplikanti në çdo kohë brenda 15 ditësh, mund të kërkojë në sportel plotësimin ose ndreqjen e elementeve që pengojnë regjistrimin, duke plotësuar formularin përkatës e duke dorëzuar dokumentet shoqëruese të nevojshme.

c) Në rast refuzimi të regjistrimit.

1) Nëse pas verifikimeve nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) konstaton se të dhënat që kërkohen të regjistrohen, janë të ndryshme nga të dhënat e regjistrueshme sipas dispozitave të ligjit, regjistrimi refuzohet dhe aplikanti  njoftohet në sportel, me shkrim për shkakun e refuzimit.

2) Nëpunësi i autorizuar (regjistruesi) refuzon regjistrimin, në rastin kur aplikanti nuk ka plotësuar ose ndrequr elementet që pengojnë regjistrimin, brenda afatit 15- ditor.

3) Nëpunësi i autorizuar refuzon regjistrimin edhe në rastin kur aplikimi për plotësimin ose ndreqjen e elementeve që pengojnë regjistrimin, nuk plotëson të gjitha kërkesat e përcaktuara në ligj.

Çështje të tjera të rëndësishme.

Miratimi i heshtur.

1. Në rastin kur brenda afatit prej 1 (një) dite nga paraqitja e aplikimit për kryerjen e një regjistrimi, QKR nuk ka njoftuar pezullimin e regjistrimit ose refuzimin e tij, atëherë aplikimi për regjistrim presupozohet i pranuar.

2. Në këtë rast, sistemi i informatizuar i QKR-së jep automatikisht autorizimin për regjistrim.

Regjistrimi në Zyrën e Tatim -Taksave dhe njoftimi i bashkive dhe autoriteteve të tjera:

1. Pas miratimit të regjistrimit të ri, QKR njofton në mënyrë elektronike njëkohësisht Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim -Taksave dhe autoritetin përkatës fiskal bashkiak, për regjistrimin e një subjekti të ri bashkë me NIPT-in e tij për efekte fiskale si dhe transmeton të dhënat e regjistrimit  të aplikantëve te këto autoritete.

2. Për çdo subjekt të ri, të regjistruar në Regjistrin Tregtar, QKR  njofton gjithashtu, bashkitë e komunave ku këto subjekte kanë selinë apo vendet e ushtrimit të aktivitetit. Njoftohen gjithashtu, për regjistrimin e ri autoritetet e Inspektoriatit të Punës, të Sigurimeve Shoqërore dhe të Sigurimeve Shëndetësore.

3. QKR bën njoftimet e mësipërme në mënyrë elektronike, brenda ditës së punës në të cilën kryhet regjistrimi.

4. NIPT-i është Numri Unik i Identifikimit për efekt të të gjitha këtyre regjistrimeve.

Duke lexuar me kujdes të gjithë instruksionet e mësipërme gjithëkush mund të shkojë vetë dhe të bëjë regjistrimin e biznesit të tij, duke hequr të gjithë mendimet se ky proces është i lodhshëm dhe i gjatë.

Një mendim mbi “Si të hapësh një biznes në Shqipëri?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s