stres

Edhe stresi duhet menaxhuar!

Në këtë postim do të shkruaj disa gjëra mbi mënyrën se si mund të menaxhohet stresi, duke marrë shkas nga kërkesa e një lexuesi. Megjithëse kjo fushë është shumë e gjerë dhe studimi i saj i takon disa disiplinave të ndryshme, unë do të përfshij këtu edhe elementë të menaxhimit të stresit në përgjithësi, por edhe veçanërisht stresit që lidhet me mjedisin e biznesit.

Janë tre hapa që duhen ditur paraprakisht. Hapi i parë është identifikimi i problemeve dhe kuptimi i shkaqeve që sjellin stresin; i dyti është gjetja e mënyrave për t’u ballafaquar me të; dhe hapi i tretë është bërja e një jete të shëndetshme për të shmangur stresin. Më poshtë do të flas pak për secilin prej këtyre hapave.

Hapi I

Identifikoni burimet e stresit. A shkaktohet stresi vetëm nga çështjet e punës? Apo edhe nga shqetësime të tjera? Ndonjëherë shkaqet mund të jenë të qarta, ndonjëherë të ndërlikuara. Të paktën në dukje të ndërlikuara, sepse stresi mund të jetë aq i madh ndonjëherë sa të verbon për të parë shkaqet që qëndrojnë pas tij. Nëse ju shqetësojnë ngjarje që lidhen me biznesin tuaj, atëherë përsëri mendoni dhe analizoni me kujdes faktorët që nuk janë duke ecur mirë në biznes. Prandaj duhet gjetur koha dhe vendi i përshtatshëm për të reflektuar thellë rreth tij. Duhet gjetur një çast kur asnjë problem nuk është vërdall për momentin. Një kohë e tillë e përshtatshme është për shembull kur shtriheni para se t’ju zërë gjumi (nëse stresi ju lejon të flini). Mendoni me veten mbi shkaqet kryesore që sjellin mërzi dhe shqetësime. Në fund, do të shihni që nuk është edhe aq i vështirë identifikimi i tyre. Vetëm duke kuptuar ato, mund të pretendohet më pas ulja apo zhdukja e stresit.

Hapi II

Kujdesuni për menaxhimin e kohës. Shpesh do të kuptoni që një prej shkaktarëve kryesorë të stresit është mungesa e kohës në dispozicion për të bërë gjithçka që do brenda afateve të caktuara. Prandaj është e rëndësishme që në rast se jeni shumë të ngarkuar të mbani një axhendë me gjërat që duhet të bëni gjatë ditës. Nëse gjithsesi koha nuk del për gjithçka, atëherë duhet të mësoni t’i jepni prioritet gjërave të caktuara. Mendoni se çfarë ka më tepër rëndësi për ju. A duhet të kaloni më tepër kohë në punë, apo me familjen? Mos merrni përsipër çdo detyrë në biznesin tuaj. Nëse jeni ju menaxheri, mësoni të delegoni disa detyra tek punonjësit e tjerë. Duke prioritetizuar gjërat, atëherë të paktën disa prej tyre do t’i bëni siç duhet, pasi nuk do të keni më presionin e kohës së pamjaftueshme. Në rastin kur punoni me stres ngaqë nuk i bëni dot të gjitha, atëherë me shumë mundësi nuk bëni asgjë tamam. Përqëndrohuni tek ato që kanë rëndësi më tepër për ju dhe dëshironi më shumë të bëni. Më pas, bëjini.

Kontrollojeni ju mjedisin përreth dhe jo e kundërta. Duhet të dini që shpesh jeni vetë ju që vendosni për gjërat që bëni dhe mënyrën se si përballeni me to. Ka gjithmonë një mënyrë për të ndaluar së bëri të gjërave që ju mërzisin, ashtu siç ka edhe mënyra për të parë anët pozitive të gjërave që në pamje të parë duken si stresuese. Supozojmë që jeni duke parë televizor dhe lajmet e ditës ju kanë ngritur nervat keq. Mjafton të bëni një nga këto dy gjëra: Të fikni televizorin ose të ndërroni kanal. Trafiku i rënduar ju streson gjithmonë? Shikoni anët pozitive të situatës. Është një moment i mirë për të reflektuar për jetën tuaj, ose për të dëgjuar muzikën e preferuar me zërin në maksimum. Të njëjtën gjë mund të bëni edhe në një pozicion si drejtues biznesi. Nëse ndodh ndonjë gabim, nëse shitjet nuk shkojnë sipas parashikimit apo nëse punonjësit nuk kanë produktivitet të lartë, atëherë gjeni mundësinë e përfitimeve të mundshme nga këto situata. Nga gabimet mund të nxjerrësh gjithmonë mësime, ndërsa mund të rimendoni edhe mënyrën e shpërblimit të punonjësve dhe të krijoni rrugë të reja për motivimin e tyre.

Lërini ndjenjat të rrjedhin. Komunikoni. Kërkoni ndihmë. Qani, qeshni, nervozohuni. Janë të gjitha shumë normale për një njeri. Sa më tepër emocione të mbani brenda vetes, aq më tepër do të stresoheni. Flisni me dikë për gjendjen tuaj dhe për diçka që ju shqetëson. Do të ndjeheni më mirë. Një ide tjetër është të kërkoni ndihmë konkrete për problemin tuaj. Të kërkoni këshilla, mendime, sugjerime. Ndoshta jo të gjithë do të jenë të gatshëm t’ju ndihmojnë, megjithatë nuk i dihet asnjëherë se kur mund të përballeni me një surprizë të këndshme. Nëse biznesi juaj ka probleme, mos nguroni të pyesni miqtë apo kolegët tuaj se çfarë do të bënin ata në një situatë të ngjashme. Ndërsa për një ndihmë më profesionale, ekzistojnë gjithmonë kompani që ofrojnë konsulencë për çdo çështje shqetësuese që mund të keni, si në fushën e menaxhimit të biznesit, ashtu edhe në ato juridike apo teknike. Lejoni njerëzit që doni dhe ju duan më shumë që t’ju qëndrojnë pranë dhe gjeni mbështetje tek ta. Gjithashtu, nëse vini re se një person i caktuar ju shqetëson vazhdimisht, atëherë thjesht shmangni komunikimin me të. Rrallëherë do të jeni të detyruar të komunikoni me dikë që nuk dëshironi. Kur t’ju qëllojnë raste të tilla, bëni një kompromis për veten dhe kalojeni situatën me sportivitet.

Hapi III

Bëni gjërat që ju pëlqejnë, shëndetshëm. Ndër prioritetet që u përmendën më lart duhet të jetë patjetër i përfshirë një apo disa aktivitete që ju pëlqejnë shumë t’i bëni. Duhet të jetë i përfshirë hobi juaj. Çdo njeri ka diçka që e bën të ndjehet mirë. Nëse tashmë e dini se çfarë ju pëlqen juve të bëni, gjeni kohën për ta bërë. Nëse nuk e keni zbuluar akoma, filloni kërkimet. Mund të jetë çfarëdo: Vrapimi, biçikleta, kinemaja, peshkimi, tenisi, masazhi, teatri, të lexuarit, të shkruarit, muzika, etj. Ushtrimet fizike janë të rëndësishme sepse aktivizojnë njëkohësisht edhe trupin, edhe mendjen tuaj. Pak kohë në ditë kushtuar aktivitetit fizik, do t’ju lehtësojë shumë nga stresi. Bëni një jetë të shëndetshme duke fjetur mjaftueshëm dhe duke u ushqyer mirë. Mos shkoni deri aty sa të përpiqeni të largoni stresin me duhan. Nuk është antistres duhani, madje përkundrazi: përkeqëson situatën. Mos gjeni ngushëllim as tek alkooli. Sigurisht që mund të pini me raste për qejf duke festuar me shoqërinë apo kolegët, por pa e tepruar.

Më së shumti lërini gjërat të rrjedhin. Mos u fiksoni pas anëve negative të ngjarjeve dhe për më tepër mos rrini pa bërë gjë për të ndryshuar situatën. Merrni në kontroll jetën tuaj duke ndryshuar së pari mënyrën e të menduarit brenda jush. Nëse realizoni këtë, atëherë mund të udhëhiqni edhe biznesin tuaj drejt një ndryshimi të tillë. Suksesin nga dështimi e ndan një vijë e hollë, që përcaktohet nga vullneti. Siç thonë japonezët, nëse bie në tokë shtatë herë, e rëndësishme është që të ngrihesh vetëm një herë më tepër, pra tetë.

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s