Steve-Jobs

A janë themeluesit e një biznesi, drejtuesit më të mirë të atij biznesi?

Pothuajse çdo firmë e madhe që ekziston sot, ka qenë njëherë e një kohë biznes i vogël. Në shumë raste, këto biznese kanë filluar nga ndonjë garazh makinash apo dhomë konvikti dhe mund të kenë patur një apo dy punonjës, vetë themeluesit. Janë këta themelues që kanë patur një ide të shkëlqyer, që kanë ndjekur pasionin e tyre duke vënë në përdorim trurin dhe shpirtin inovator. Por ndërsa biznesi rritet dhe punonjësit shtohen, gjërat ndërlikohen dhe shtrohet çështja nëse janë të aftë këta sipërmarrës inovatorë të drejtojnë kompaninë me sukses edhe kur në punë nuk janë më dy, as dhjetë, por mbi njëmijë punonjës? A dinë ata të marrin vendimet e duhura për dhjetra aspekte të menaxhimit të një kompanie, si: menaxhimi i marketingut, shitjet, menaxhimi i operacioneve dhe sistemeve të prodhimit, investimet e reja, etj? Ndodh shpesh në fakt që në momentin kur firma bën hapat e para të rritjes, themeluesi i saj largohet nga posti drejtues dhe zëvendësohet nga dikush me përvojë të gjatë në drejtim biznesesh të mëdha. Në këtë mënyrë mundësohet një lloj mbikëqyrjeje prej “të rrituri”. Disa herë themeluesi largohet me dëshirë, por në shumicën e rasteve janë investitorët e rinj apo bordi drejtues që ia kërkojnë këtë gjë.

Rastet kur një themelues funksionon si një lider i shkëlqyer i kompanisë së tij edhe pasi ajo rritet, i gjejmë sidomos në industritë teknologjike dhe informatike. Themeluesit dhe drejtuesit ekzekutivë të kompanive si: HP (Bill Hewlett dhe David Packard), Microsoft (Bill Gates), Intel (Robert Noyce dhe Gordon Moore) dhe Apple (Steve Jobs) janë shembuj suksesi të padiskutueshëm. Këta drejtues nuk bëjnë vetëm rolin e një administratori në firmat e tyre. Ata tranformojnë, motivojnë, shtyjnë dhe tërheqin. Steve Jobs është ndoshta rasti më i dukshëm nga të lartpërmendurit për ndikimin e tij mbi Apple-in.

Ai u hoq nga posti i drejtorit ekzekutiv, në mënyrë që kompania t’i besohej njerëzve me përvojë të gjatë e të sukseshme me kompani të tjera (kryesori prej tyre ish-drejtori ekzekutiv i Pepsit në atë kohë, John Sculley). Gjatë viteve 1983 – 1997, Apple u kthye nga një biznes i ri që premtonte shumë me prodhimin e kompjuterave të parë personal, në një biznes ku paratë humbeshin vazhdimisht dhe produktet e reja nuk i përshtateshin firmës. Kompania ishte vërtet shumë pranë falimentimit. Në 1997, Steve Jobs rimori nën drejtim kompaninë. Dhe përmes një procesi të tërë transformues e ktheu atë në një nga dy firmat më të shtrenjta në SHBA.

Është absurde të mendosh se dikush që nuk merr vesh fare nga teknologjia të drejtojë një kompani të madhe që prodhon dhe shet teknologji. Nuk mjafton as reputacioni i mirë i dikujt dhe as eksperienca e gjatë për të arritur sukses në këtë fushë. Nevojiten disa faktorë të tjerë shtesë.

Së pari, themeluesi i një kompanie ka një vizion më afatgjatë për firmën e tij se dikush që vjen në postin drejtues në një moment të caktuar të jetës së kompanisë. Gjithashtu në këtë linjë janë edhe investimet më të mëdha që themeluesit kryejnë në fushën e kërkimeve teknologjike dhe në zhvillimin e produkteve të reja.

Së dyti, nuk është surprizë të thuhet që një themelues është më i motivuar për të qenë i sukseshëm me biznesin e tij. Dhe në fakt, jo vetëm që janë më tepër të vetë-motivuar se një drejtues i jashtëm, por edhe mundësia që ata kanë për të motivuar punonjësit e tjerë është më domethënëse. Them mundësia, sepse efekti nuk është i sigurt pasi varet gjithmonë nga karakteri dhe sjellja e themeluesit. Mund të ndodhë edhe efekti i kundërt: Themeluesi duke qenë i plotfuqishëm nuk shqetësohet shumë për punonjësit, ndërsa drejtuesi i jashtëm kërkon të jetë i pëlqyer nga vartësit në mënyrë që të ketë të sigurt qëndrimin në detyrë.

Një pikë tjetër është aftësia e tyre për të qenë inovatorë, duke qenë se ishin vetë ato që bënë hapin e parë dhe morën përsipër riskun për të krijuar një sipërmarrje të re. Një arsye kryesore për një inovacion më të lartë sidomos në fushën e produkteve teknologjike është që ata janë specialistë më të mirë të teknologjisë sesa janë drejtuesit e jashtëm me eksperiencë të gjatë, por jo në firma teknologjike. Këta të fundit priren të jenë më të zotë në marketing dhe në krijimin e bashkëpunimeve.

Sigurisht, jo çdo themelues ka aftësinë për të qenë një lider i aftë për të drejtuar një kompani të madhe. Përmenda më lart që mundësitë më të mëdha që themeluesit të jenë të sukseshëm, është në bizneset e teknologjisë. Nga ana tjetër, edhe ideologjia e mbikqyrjes nga “të rritur” mund të dëmtojë më tepër sesa të ndihmojë. Dhe si me çdo ideologji tjetër, duhet parë se kush përfiton prej saj për të kuptuar se pse ajo ekziston.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshojeni )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshojeni )

Po lidhet me %s