Si të përmirësojmë reklamimin e produkteve?

Reklama është një nga elementët që kërkojnë investimet më të mëdha të marketingut për shumicën e kompanive. Por si mund t’i bëjmë ato sa më funksionale? Si duhet të jetë përmbajtja e një reklame të mirë? Çfarë karakteristikash duhet të ketë ajo? Mbajmë parasysh që me reklama nuk kuptojmë vetëm videot që shfaqen në TV por çdo mënyrë publiciteti të paguar nga kompania, ku përfshihen gazetat, billbordet, reklamat online, etj.

 

Reklamat më të mira nuk janë thjesht kreative, ato e shesin produktin. Vetëm kreativiteti nuk mjafton. Arti ndihmon që reklama të mbahet mend, të krijojë një ndjenjë të caktuar tek njerëzit, por as këto nuk mjaftojnë. Një reklamë e mirë duhet të komunikojë gjënë e duhur që do të bëjë që njerëzit ta kërkojnë, ta besojnë dhe ta blejnë atë produkt. Pra, një ndërthurje midis idesë, kreativitetit, artit dhe mesazhit të duhur e bëjnë një reklamë gati perfekte. Por edhe elementët e një reklame të shkëlqyer duhet të rinovohen ose nuk do të jepen më rezultatet e pritura. Elementë të tillë mund të jenë: personazhet, slloganet, apo lloji i mesazhit. Një nga kompanitë shqiptare që e bën mirë të paktën këtë gjë është Eagle Mobile. Si për shembull slloganet ndryshohen vazhdimisht: “Rinia fluturon tani”, “Si asnjë tjetër”, “Shtoji ngjyrat”, “Jepi vetes lirinë e komunikimit”, etj. Kompanitë konkurrente e bëjnë rrallë ose asnjëherë këtë gjë.

Ata që konceptojnë reklamat kanë metodë të ndryshme se si i krijojnë ato. Një metodë është lidhja e një marke në mënyrë të drejtpërdrejtë me një përfitim apo përcaktim të vetëm. Ndërsa Leo Burnett, një nga krijuesit më të famshëm të reklamave në botë, preferonte të krijonte personazhe që shprehnin të mirat apo personalitetin e produkteve. Këtu përmendim si shembull cowboy-in e famshëm të kompanisë Marlboro. Ndërsa agjenci të tjera krijojnë mini histori me episode për të treguar aspekte të ndryshme të produktit. Kujtojmë si rast pak a shumë të tillë, reklamat e Digitalb me episode të ndryshme humoristike me aktorët e Portokallisë.

Qëllimi i reklamës nuk duhet të jetë tregimi i fakteve rreth një produkti, por shitja e një zgjidhjeje ose një ëndrre. Reklama i duhet adresuar aspiratave të konsumatorëve. Këtë bëjnë Harley Davidson, Armani, Western Union, etj. Një Harley nuk reklamohet si një motorr që ecën më mirë se të tjerët, por reklamohet si një mundësi që njerëzit të kenë një stil jetese të veçantë, të ndihen të lirë dhe si heronj. Charles Revson, themeluesi i kompanisë së produkteve estetike Revlon ka thënë: “Në fabrikën tonë ne prodhojmë buzëkuq. Në reklamat tona, ne shesim shpresë.” Dhe në mënyrë që njerëzit të mos jenë dyshues ndaj një reklame që i premton realizimin e një ëndrre, reklama duhet të ekzekutohet pikërisht me elementët që thamë në fillim, kreativiteti, arti, dhe mesazhi i duhur. Shumë pak persona do të besojnë nëse thjesht del dikush në TV dhe thotë që produkti i tij zgjidh çdo hall dhe çdo problem. Nuk është kaq e thjeshtë.

Pse shumica e reklamave nuk janë kreative? Merrni për shembull reklamat e makinave. Në 90% të reklamave në TV shfaqet një makinë që ecën në rrugë të bukura rurale të boshatisura dhe me shpejtësi të madhe. Marrim rastin kur një reklamë e tillë transmetohet në Shqipëri ose Kosovë, por kjo është e vërtetë për shumicën e vendeve, duke qenë që konçensionarët i marrin të gatshme nga prodhuesit reklamat që shfaqin në TV. Po si mund të ketë sukses një reklamë e tillë? Ne nuk kemi rrugë aq të bukura, rrugët tona janë mbushur me gropa. Nuk ka rrugë që të jenë bosh dhe mos të ketë makina të tjera siç shfaqen në reklamë. Për më tepër shpejtësia maksimale që lejohet në rrugë rurale është rreth 60 km/orë, nuk mund të eci me 120 km/orë si në reklamë. E duke qenë gati të gjithë reklamat njësoj, ne as nuk e mbajmë mend se cila makinë ishte në një reklamë. Konkluzioni është që reklama të tilla shpesh janë shpenzime të kota të kompanive dhe humbje e kohës për konsumatorët.

Sipas Kotler, mungesa e kreativitetit në reklama nuk vjen nga agjencitë e krijimit të reklamave por nga vetë kompanitë. Pra, nëse një kompani sheh se agjencia që ka paguar për t’i krijuar reklamën, ka realizuar diçka shumë “të egër” apo “që thyen tabutë”, atëherë i kërkon që ta bëjnë disi më “normale”, pasi i frikësohet reagimit të publikut. Kjo ndodh kur paguhet një agjenci, por mund të ndodhë edhe nëse reklama krijohet nga vetë punonjësit e firmës.

Kompanitë duhet të ngrejnë një pyetje shumë të rëndësishme përpara se të reklamojnë: A do të krijojë reklama klientë më të kënaqur, sesa po të përdorim të njëjtat para jo për reklamë por për të ndërtuar një produkt më cilësor, për të përmirësuar shërbimin ndaj klientit, apo për të krijuar një eksperiencë më të fortë të markës? Përgjigja e kësaj pyetjeje nuk është asnjëherë e thjeshtë. Nga njëra anë mund të mendojmë që sa më i mirë të jetë produkti, aq më pak do të na duhet të shpenzojmë në reklamim, pasi klientët e kënaqur janë reklama më e mirë dhe se me klientët besnikë, reklama është më pak e nevojshme. Por ka edhe njerëz që besojnë së tepërmi tek reklamat. I tillë është Stewart Henderson Britt, që ka thënë: “Të bësh biznes pa reklamuar, është njësoj sikur t’i shkelësh syrin një vajze në errësirë. Ti e di se çfarë je duke bërë, por të tjerët jo.”

Një gjë është e sigurt: Nëse produkti jot nuk është aq i mirë sa duhet, mos shpenzoni për ta reklamuar pasi reklama e një produkti të keq, është vrasësi më i shpejtë i tij. Kujtojmë që Pepsi ka shpenzuar miliona për reklamimin e produktit të saj Pepsi One, por ai produkt dështoi shumë shpejt pasi konsumatorëve thjesht nuk u pëlqeu. Në një rast të tillë, pra kur produkti juaj apo shërbimi ndaj klientëve nuk është ende në nivelin e duhur, ju duhet të shpenzoni për të përmirësuar këto aspekte dhe jo për reklamim.

About these ads

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s