Barrierat me të cilat përballen bizneset e reja gjatë hyrjes në treg

Përpara se një biznes i ri të mundet të konkurojë në një treg, atij i duhet fillimisht të hyjë në atë treg. Shumë tregje kanë disa pengesa që e vështirësojnë futjen e firmave të reja. Këto pengesa quhen “barrierat e hyrjes” dhe kanë disa përkufizime të ndryshme. Këto përkufizime plotësojnë njëri-tjetrin dhe është e vështirë që të përcaktohet versioni më i saktë. Unë këtu do doja të përmendja vetëm njërin, i cili megjithëse nuk jep specifika mbi barrierat, tregon thelbin e secilës prej tyre:

“Një barrierë e hyrjes është një karakteristikë strukturore e një tregu, që mbron bizneset ekzistuese në treg, duke bërë që hyrjet e reja në atë treg të mos sjellin fitime.” 

Në këtë postim do të trajtoj pesë prej barrierave që më duken më të rëndësishmet, me të cilat bizneset e reja përballen për të hyrë në treg, gjë që mund t’u bëhet edhe e pamundur për t’u realizuar:

  • Njëra prej barrierave më të rëndësishme është fenomeni i ekonomisë së shkallës. Ky koncept ka të bëjë me avantazhimin e firmave ekzistuese, që krijohet duke prodhuar dhe blerë lëndë të parë në sasi shumë të mëdha, apo edhe duke përfituar nga eksperienca dhe aftësia e  personelit të një firme disa vjeçare. Çelësi është që firmat ekzistuese i kanë kostot e prodhimit për njësi shumë herë më të ulëta se një firmë e re. Ky fenomen ndodh kryesisht në rastin e bizneseve të mëdha, sepse sa më e lartë vlera e investimit fillestar, aq më e madhe barriera për të hyrë në atë treg.
  • Efekti network është një lloj tjetër barriere. Ky efekt krijohet kur një biznes ekzistues e bën veten të pazëvendësueshëm si për furnitorët, ashtu edhe për klientët e tij. Gjithashtu, produkti i tij është i përhapur aq shumë midis konsumatorëve saqë roli i kësaj firme nuk është më vetëm individual, por brenda një network-u firmash në të cilin një firmë e re e ka të pamundur të hyjë.  Efekti network bën që firma të ndryshme, të përfitojnë nga klientët e njëra-tjetrës. Në këtë mënyrë, më i forti i një fushe të caktuar bashkëpunon me më të fortin e një fushe tjetër, për të penguar çdo firmë të re që kërkon të konkurojë në atë treg. Kjo situatë shpesh mund të krijojë tregje monopolistike, gjë që është në kundërshtim me interesat e konsumatorëve.
  • Besnikëria ndaj markës është një tjetër barrierë tepër e fuqishme. Trademark-e si “Coca-Cola”, “Nike”, “Mercedes-Benz”, apo “Google”, kanë një autoritet të jashtëzakonshëm në treg. Firma të tilla kanë klientelën e tyre që i qëndron besnike, pa u interesuar fare për firma të reja që mund të hyjnë në treg. Gjithashtu, këto firma të reja duhet të shpenzojnë shuma të mëdha në reklamë që të krijojnë gradualisht një besim tek konsumatorët. Një shembull i fuqisë që emri i firmës ka për të mbajtur klientët pas vetes, është gjigandi “Google”. Emri i firmës është aq i famshëm saqë është përfshirë në fjalorin Merriam-Webster’s Dictionary, si një folje me kuptimin:  ‘kërkoj diçka në faqen e Google-it’. Por drejtuesit e kompanisë shqetësohen se me kalimin e kohës kuptimi mund të zgjerohet në: ‘kërkoj diçka në internet’. Nëse ndodh kështu, trademark-u “Google” rrezikon të humbasë vlerën e saj. Megjithatë, duket shumë e largët dita që një kompani e re të mundet të konkurojë me “Google”, pjesërisht prej cilësisë së kompanisë, por edhe prej emrit të mirë tashmë të fituar.
  • Një barrierë më e veçantë shkaktohet nga ndërhyrja e qeverisë dhe ato barriera të tipit ligjor. Në këtë rast, qeveria apo agjencitë qeveritare, vendosin rregulla hyrjeje të caktuara dhe japin leje të veçanta për ushtrimin e aktivitetit. Për shembull, nëse vendoset nga Enti i Telekomunikacionit në Shqipëri që numri i kompanive të telefonisë celuare të jetë katër, çdo kompani tjetër e re që synon të hyjë në këtë treg, që mund të ketë burimet financiare dhe njerëzore të nevojshme, pengohet nga ky rregull i vendosur nga qeveria. Rregulla të tilla mund të vendosen për aryse të ndryshme. Një rast mund të jetë mbrojtja e mjedisit. Qeveria jep liçenca për shfrytëzimin e burimeve natyrore, si: lënda drusore nga pyjet, nxjerrja e mineraleve nga nëntoka, industritë që emetojnë sasi të mëdha të dioksidit të karbonit, etj. Objekt i rregullave të vendosura nga qeveria janë edhe shërbime të ndryshme ndaj publikut, si: energjia elektrike, transporti, telekomunikacioni, etj.
  • Një barrierë mund të bëhen edhe kontratat afatgjata që një biznes ekzistues lidh me një furnitor të vetëm rajonal apo me një klient të rëndësishëm në treg. Për shembull, nëse bashkia e qytetit do të nënshkruante një kontratë pesë ose dhjetë vjeçare me një firmë për pastrimin e qytetit, atëhere firmat konkuruese do të përjashtoheshin nga tregu, për sa kohë kontrata do të ishte e vlefshme. Ndërsa një rast kontrate me një furnitor të vetëm në rajon, mund të jetë kur një firmë përpunuse nafte, bën me firmën që nxjerr naftën. Për sa kohë kjo kontratë të jetë e vlefshme, asnjë firmë e re nuk mund të hyjë në industrinë përpunuese të naftës në atë rajon.

Këto barriera megjithëse të shumëllojshme kanë të njëjtin efekt. Të gjitha pengojnë firmat e reja për të hyrë në treg, dhe rrjedhimisht avantazhojnë bizneset ekzistuese. Kjo bën që të frenohen në shumë raste ato që i japin energji një ekonomie, sipërmarrjet. Sigurisht, e gjithë kjo ka ndikim edhe tek konsumatorët. Ajo që i intereson konsumatorëve është që tregu t’i afrohet sa më tepër situatës së një konkurencë perfekte. Si rregull, sa më pak barriera të ketë për firmat e reja, aq më perfekte është konkurenca. Por megjithatë, në këtë këndvështrim llojet e ndryshme të barrierave dallojnë nga njëra-tjetra. Pra, një rregull i gabuar i qeverisë, një kontratë afatgjatë me tendencë, një situatë monopolistike e krijuar nga ndërhyrja e shtetit, mund dhe duhet të parandalohen. Ndërsa për barrierat e tjera, si marka e famshme e një firme apo ulja e çmimeve deri në kosto për të zhdukur konkurrencën, mendoj se janë pjesë e funksionimit të lirë të tregut dhe ndërhyrjet e qeverisë për të tentuar përmirësimin e situatës, në fakt do ta përkeqësonin atë.

About these ads

2 mendime mbi “Barrierat me të cilat përballen bizneset e reja gjatë hyrjes në treg

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s