Si mashtrohen konsumatorët nga reklamat “negative”?

Një nga pjesët më të rëndësishme të marketingut të një kompanie është padyshim reklama. Çdo biznes, në mënyrë që të ruajë pozitën në treg detyrohet të përdorë reklamën si një mjet komunikimi me konsumatorët. Ndërkohë që efektet pozitive janë të pranuara gjerësisht (do të ketë një postim të ardhshëm mbi to), reklamat kanë edhe anën tjetër të medaljes, atë negative. Shpesh këto efekte janë të fshehura dhe janë në dëm të konsumatorëve. Ndër to, po përmend më poshtë disa nga më të rëndësishmet:

1. Kostot e fshehura

Një konsumator duhet të dijë që reklamat kushtojnë shumë dhe se paratë me të cilat ato mundësohen vijnë nga vetë ai. Kur dikush blen një produkt, ai paguan për njësinë e produktit, paketimin, kostot e zhvillimit, të mirëmbajtjes së makinerive, pagesën e punonjësve që e kanë prodhuar, etj. Por përveç këtyre, në momentin që një produkt blihet, në çmim është përfshirë edhe reklama që është paguar nga kompania për atë produkt. Ndërsa nga njëra anë është e kuptueshme se përse dikush duhet të paguajë për elementët e parë që përmenda, është e palogjikshme që dikush të paguajë kompaninë për t’i treguar atij rreth një produkti që sapo e ka blerë. Nëse makineritë, punonjësit apo paketimi i krijojnë produktit një vlerë të shtuar, çfarë vlere i shton reklama atij?

2. Mashtrimi i klientëve

Të gjithë marketerët e dinë që nuk mund të thonë gënjeshtra pa limit në reklamat që prodhojnë dhe që sipas ligjeve në shumë shtete pretendimet e tyre duhet të mbështeten në statistika konkrete. Megjithatë, marketerët shpesh e shtrembërojnë të vërtetën mbi produktet e tyre. Gjatë reklamimit, kompania mund ta ekzagjerojë me veçanti të caktuara të produkteve, duke e bërë atë të duket shumë më cilësor se ç’është në të vërtetë. Sigurisht, veçantitë negative të një produkti nuk përmenden kurrë. Kështu, reklamat mund të mashtrojnë shumë njerëz, sidomos për një grupmoshë të re që shpenzon orë të tëra përpara televizorit apo internetit dhe përballet kudo me reklama të tilla agresive dhe mashtruese.

3. Kushtëzimi dhe vendosja e një “mode”

Në mënyrë që të hipnotizojnë një masë të madhe njerëzish, kompanitë duhet të krijojnë një “modë” të caktuar që konsumatorët do të duhet të ndjekin. Ky është një nga qëllimet më të mëdha të reklamave të ditëve të sotme. Marketerët kanë zbuluar se nëse prodhojnë një produkt dhe bëjnë që produkti i tyre t’i bëjë klientët e lumtur, shitjet do të shpërthejnë. Për të bërë që klientët të besojnë se një produkt i bën të lumtur, marketerët i bombardojnë ata me imazhe dhe me deklarata të pavërteta gjatë gjithë ditës, derisa njerëzit të fillojnë t’i besojnë ato gjëra.

Këtu mund të kihen parasysh reklamat tipike të pajisjeve stërvitëse që shërbejnë për dobësim apo për të mbajtur trupin në formë. Në këto reklama, tregohen gjithmonë fotografi ku tregohet dikush para dhe pas përdorimit të produktit, ku ndryshimi është i jashtëzakonshëm, por i realizuar me photoshop. Në këto reklama merren për të prezantuar produktet, njerëz me trup perfekt, të cilët nuk e kanë arritur atë fizik me anë të produktit që reklamojnë, por me stërvitje intensive gjatë një periudhe të gjatë kohe.

Pasi arrihet të vendoset “moda”, kushtëzimi mund të fillojë. Konsumatorët bëhen të varur ndaj produkteve për të cilat në fakt nuk kanë fare nevojë. Ky është imazhi i shoqërisë që konsumon më tepër se çka nevojë dhe njëkohësisht ankohet se nuk ka para mjaftueshëm. Ditët e sotme, për shkak të kushtëzimeve që vijnë nga reklamat dhe prej “modës” së vendosur nga kompanitë, njerëzit nuk gjykojnë më njëri-tjetrin mbi atë çfarë janë me të vërtetë, por për mënyrën se si dhe për çfarë shpenzojnë.

4. Çensurimi

Kompanitë duan që reklamat e tyre të shfaqen në kanale televizive apo faqe interneti që kanë një përmbajtje të caktuar, sepse kërkojnë që t’ia paraqesin produktin një audience të caktuar. Shumica e mediave janë bërë tërësisht të varura prej reklamuesve të mëdhenj, aq sa ndryshojnë apo çensurojnë edhe programacionin e vet për hir të tyre. Për shembull asnjë drejtues emisioni nuk mund të thotë kurrë: “Në djall këto reklamat!”, madje shpesh drejtuesi është i gatshëm t’i kërkojë shikuesve që të mos ndërrojnë kanal gjatë hapësirës së reklamave. Gjithashtu pjesë nga shfaqje që mund të tregojnë anët negative të një produkti, ndalohen në varësi të reklamuesit tek një shfaqje.

5. Degradimi i artit

Një tjetër efekt negativ i reklamave është degradimi i tmerrshëm i disa prej formave të artit. Nuk ka më kreativitet të pastër nëpër televizione. Çdo gjë që sheh apo dëgjon, tashmë ka për qëllim të shesë diçka. Aktorët ndërsa luajnë pjesën e tyre në film, prezantojnë edhe produkte që konsumatorët duhet të blejnë, duke dashur ta kthejnë përdorimin e tyre në “modën” që përmenda më lart. Modelet duken të bukura dhe më të reja se ç’janë me tualetet më të fundit që konsumatorët duhet të blejnë. Një film që zgjat 90 minuta, zgjatet në dy orë për shkak të reklamave që transmetohen në mes (përveç reklamës së përfshirë në skenat e filmit). Nëpër ndeshje futbolli, nëpër emisione argëtuese apo debati, nëpër çdo faqe interneti, kudo, ka hapësira të pafundme me reklama.

Por kjo është vetëm gjysma e së keqes. Shumica e reklamave janë tërësisht të trasha dhe të krijuara me aspak imagjinatë apo origjinalitet. Nuk janë argëtuese, apo kreative dhe të mos flasim pastaj për mungesën totale të artit në to. Megjithatë, janë këto reklama të pakëndshme që zënë një pjesë të madhe të kohës së konsumatorëve, që mund ta shfrytëzonin duke parë apo dëgjuar gjëra më me vlerë për ta dhe që nuk mashtrohen prej tyre.

Në Youtube gjeta këtë video me një përmbledhje reklamash të tmerrshme nga disa kompani financiare, të cilat janë jo vetëm estetikisht të mërzitshme, por edhe mashtrojnë individët me karakteristikat që japin mbi produktet që ofrojnë:

Dikush nga ju mund të mendojë që çfarë synoj unë të them me këtë postim. Fundja, ky është një blog kushtuar menaxhimit dhe një shkrim i tillë hedh poshtë një prej teknikave më të përdorshme të kompanive për të gjeneruar fitime përmes shitjeve. Në fakt, është e vërtetë që shumë menaxherëve nuk u bëhet qejfi të lexojnë gjëra të tilla, por ky blog synon të përcjellë një frymë sa më të përgjegjshme të menaxherëve dhe të mënyrës së menaxhimit të kompanive.

Nuk ka arsye pse të mos deklarohet që reklamat e kanë humbur çiltërsinë e tyre kohë më parë. Çdo kriter etike është shkelur në emër të rritjes së konsumerizmit. Reklamat nuk kanë më shpirt. Nuk është e pranueshme me asnjë kusht që një klient të mashtrohet. Fitimet që kompania merr në këtë mënyrë mund të jenë të larta, por janë afatshkurtra. Do të vijë një kohë që klientët do të mendojnë më thellë ndërsa shohin një reklamë dhe do të pyesin veten nëse ai produkt që shohin u nevojitet me të vërtet, apo nëse ia vlen ta blesh. Për të gjitha reklamat mashtruese, përgjigja do të jetë “JO”. Ndërsa një menaxher i përgjegjshëm dhe largpamës kujdeset gjithmonë për konsumatorët e biznesit të tij dhe e nxjerr fitimin sipas një qasjeje fitim-fitim. Vetëm në këtë mënyrë është e mundur mbajtja e fitimeve të qëndrueshme dhe afatgjata për kompaninë dhe shtrimi i një rruge të sigurt drejt së ardhmes.

About these ads

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Log Out / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Log Out / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Log Out / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Log Out / Ndryshoje )

Po lidhet me %s